Kuvend, debat per bujqësinë; Rama: Po e ringremë. Bode: Situata katastrofike

27/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën plenare të kësaj të enjteje i është përgjigjur akuzave të opozitës për politizim të Universitetit Bujqësor.

“Do të ishte mirë që Universiteti Bujqësor të mos ishte kthyer në një rrënojë politike për shkak të urrejtjes. Për ju ishte vetëm hapësira e lëmoshave, ndërsa për ne është hapësira e një zhvillimi që nuk bazohet tek lëmosha, por tek investimet e bazuara në logjikën e tregut”, ka deklaruar Rama.

Rama ka thënë se, ndryshe nga PD, që ndër vite e ktheu universitetin në një ndërmarrje të interesave të saj, qeveria e tij synon ta ringrejë atë.

“Ne jemi angazhuar në një bashkëpunim konkret me Universitetin Bujqësor, me rektorin e tij, për ta rikthyer në krye të detyrës dhe të jetë një vend ku zhvillohet praktika e standardeve europiane e ku referohet çdo sipërmarrës e fermer për të rritur cilësinë e prodhimit të tij”, ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë ka hedhur po ashtu poshtë akuzat e opozitës për rrënimin e sektorit të bujqësisë, duke thënë se kur pikërisht në kohën kur PD ishte në pushtet, ky sektor u shkatërrua nga ndërtimet “kuturu” dhe mungesën e investimeve për kanalet ujitëse e kullosëse.

“Vini këtu dhe kërkoni llogari në hava. Jeni ju shkatërruesit e shtetit në çdo sektor. Kur vini këtu mundohuni që përveç kritikave të jepni edhe ndonjë ide”, ka vijuar Rama, i cili u është përgjigjur edhe akuzave për kanabisin.

“Sa për kanabisin, mos u shqetësoni se nuk është ashtu siç thoni ju. Referojuni shifrave të eksporteve bujqësore, që janë më të lartët ndonjëherë”, ka shtuar Rama.

Bode: Problemet janë shumë të mëdha

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode ka replikuar me kryeministrin sa i takon zhvillimit të sektorit bujqësor në vend, i cili sipas tij është ndryshe nga sa thotë Rama.

“Sa konkurruese janë produktet bujqësore shqiptare? Çmimi është më i ulëti i 10 viteve të fundit, prandaj sektori kërkon investime. Si mund të jemi ne konkurrues kur bujqësia është e subvencionuar? Janë shumë elementë që duhet të mendoni dhe jo të niseni nga fakti se ngaqë kanë ardhur 10 skavatorë problemi qenka zgjidhur. Ku janë premtimet që keni bërë?”, ka thënë Bode.

Nga ana e tij Rama është përgjigjur duke thënë: “Nafta sot shumë më e lirë se më parë. Nuk japim para në avancë, por japim rimbursimin 20 për qind të prodhimit, që është më shumë se shuma e subvencioneve që bënit ju, me kushtin e formalizimit”.

Kreu i qeverisë ka theksuar se, sot fermerët janë organizuar, duke bërë prodhimin më vete dhe shitjet së bashku.

“Perimet e Divjakës nuk ngelen rrugëve. Në Sarandë nuk ngelet asnjë mandarinë pa u shitur dhe e zgjedhin fermerët kujt t’ia shesin, jo grosisti. Agrumet e Sarandës shiten sot në 18 tregje të huaja. Fermerët janë të strukturuar si një forcë e madhe”, ka thënë Rama, i cili u është përgjigjur edhe kritikave sa u takon ekskavatorëve.

“Janë 71 ekskavatorë, që për Shqipërinë janë mjaftueshëm. Ajo që do të ndodhë në vijim do të jetë një transformim i thellë si pasojë e reformës administrative territoriale. Krahasuar me 3 vjet më parë, fshati është në një epokë tjetër”, ka shtuar Rama.

Panariti: Rekord historik i eksportit të frutave

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti është përfshirë në debatin parlamentar mbi  bujqësinë. Në fjalën e tij Panariti ka deklaruaar se vitin e fundit ka patur një dyfishim të eksporteve të frutave.

“Ka një rekord historik të eksportit të mollëve. Vëllim i madh prodhimi kalon çdo ditë në dogana”, ka thënë Panariti.

Sipas tij, të ardhurat nga kjo tregti janë 50 milionë euro më shumë se një vit më parë. “Prodhohet sipas kërkesave të tregut.

Po prodhohet me mençuri”, ka thënë më tej Panariti, duke shtuar se, “nuk e konsideroj bujqësinë si asistencë sociale”.

Top Channel