Guardiola “zhytet” në serinë e rezultateve më negative si trajner

27/10/2016 00:00

Pep Guardiola nuk po kalon një moment të mirë te Manchester City. Që nga koha kur ka nisur karrierën si trajner profesionist, spanjolli nuk kishte kaluar kurrë 6 ndeshje radhazi pa asnjë fitore.

Këtë seri e vulosi Jose Mourinho, pas fitores së djeshme të Manchester United ndaj City-t në Kupën e Ligës.

Guardiola nuk fiton një ndeshje zyrtare me City-n që nga 24 shtatori. Që nga triumfi ndaj Swansea, skuadra e drejtuar prej tij ka marrë 3 barazime (Celtic, Everton dhe Southampton) dhe ka pësuar 3 humbje (Tottenham, Barça dhe United).

Deri më dje, seria më e keqe e Guardiolës ishte ajo e sezonit 2008-2009, kur nuk fitonte dot në 5 ndeshje radhazi: 3 barazime (Betis, Lyon dhe Mallorca) dhe 2 humbje (Espanyol dhe Atlético Madrid).

Ndeshjet e ardhshme të Manchester City janë kundër West Bromwich në kampionatin anglez dhe Barcelonës në Champions League.

Top Channel