Trump i kthehet biznesit, përuron hotelin e ri në Uashington

27/10/2016 00:00

Kandidati republikan ka marrë një pushim nga fushata elektorale për të inauguruar një hotel të ri që mban emrin e tij, vetëm disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë. Biznesmeni i kthyer në politikan, preu shiritin në ceremoninë përuruese përpara se t’i rikthehet përpjekjeve të ethshme për të marrë presidencën në Karolinën e Veriut.

Inaugurimi i hotelit prej 212 milionë dollarësh në zonën ku ka qenë godina e vjetër postare e Uashingtonit, do te shënojë ngjarjen e dytë të marketingut për biznesmenin në një javë. Trump nuk ngurroi të shfrytëzonte rastin për të krahasuar sukseset në biznes me ato në politikë, nëse do të fitonte.

“Kjo e sotmja është një metaforë për atë që ne mund të arrijmë për këtë vend”, deklaroi ai. Manjati i pasurive të paluajtshme shoqërohej nga vajza e tij Invanka e cila mbajti edhe fjalën hapëse.

Ekipi i fushatës së Trump nxitoi të mbronte vendimin e miliarderit për të shpenzuar kohën e çmuar për promovimin e bizneseve të tij. Menaxherja e fushatës, Kellyanne Conay, tha se kjo ndalesë e Trumpit nxjerr në pah eksperiencën e tij dhe kujtoi gjithashtu se edhe Clintoni kishte marrë disa ditë pushim kur u përgatit për debatin.

Top Channel