Inter e Juventus rikthehen te fitorja, Berisha ndal shqiptarët e Peskarës

26/10/2016 00:00

Ndeshjet e kësaj mesjave në Serinë A nuk e ndryshuan sërish hierarkinë në renditje me Juventusin që gjithsesi nuk e lëshoi kryesimin.

Kampionët në fuqi të Italisë fituan 4-1 ndaj Sampdorias duke ruajtur diferencën prej 2 pikësh, këtë herë me Romën si ndjekëse kryesore.

Vetëm 4 minuta zgjati barazpesha në Torino pasi një krosim i Cuadrados solli dhe golin e Mandzukic me kokë, ndërsa Sampdoria vuajti shokun psikologjik duke lejuar sërish prekjen e rrjetës, këtë herë me mbrojtësin Ciellini. Schick rihapi ndeshjen duke ngushtuar diferencën për ekipin nga Liguria, por Pjanic në vendin dhe kohën e duhur, zhduku çdo iluzion për surprizë të miqve. Për të mbyllur makthin e miqve në “Juventus Stadium”, mendoi një tjetër gol i Ciellinit.

Inter i një mijë e një problemeve arriti të dalë disi nga bataku përballë një kundërshtari si Torino që humbi 2-1 në “San Siro”. Një gol aksidental i Icardi-t i dha avantazhin zikaltërve, por gafa në mbrojtjen e vendasve, solli edhe rrjetën e Belotti-t në pjesën e dytë. Kapiteni Mauro Icardi me golin e dytë, i dha  frymëmarrje trajnerit De Boer në stol.

Peskara, edhe pse këtë herë me Memushajn e të rikthyerin Manaj në formacion, nuk arriti te rezultati poztitiv, duke marrë një tjetër humbje. Atalanta me Etrit Berishën në portë mposhti Peskarën me rezultatin minimal 0-1.

Top Channel