Seri tërmetesh në qendër të Italisë, shemben ndërtesat në disa zona

26/10/2016 00:00

Një seri tërmetesh kanë tronditur këtë mbrëmje zonën qendrore të Italisë. I pari ka rënë në orën 19:11, me fuqi 5.4 ballë, ndërsa i dyti në 21:18, 5.9 ballë.

Epiqendra është lokalizuar në Valnerina, në zonën mes qyteteve Peruxha dhe Maçerata, ku ka edhe një përmbytje. Lëkundjet sizmike janë konfirmuar nga Instituti kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanikës, raportojnë mediat italiane online.

Sipas këtyre burimeve, disa skuadra shpëtimi janë dërguar në disa fraksione të komunave të zonës së epiqendrës, të cilat rezultojnë të izoluara.

Zonat në fjalë janë Kastelsantanxhelo, Usita dhe Viso. Burimet shtojnë se një kishë në lokalitetin Norçia është shembur dhe mund të ketë edhe ndërtesa të tjera të rrënuara.

“Për momentin nuk kemi të dhëna për të plagosur apo viktima. Situata më e rëndë paraqitet në Kastelsantanxhelo, në Nera, ku mungon energjia elektrike”, ka deklaruar ndërkohë kreu i Mbrojtjes Civile, Cesare Spuri.

Zyrtari ka bërë me dije se shembje ndërtesash janë verifikuar në Viso, ndërsa ka shtuar se, janë hapur qendrat operative nëpër provinca. Ndërkohë, lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe në Romë, ku njerëzit kanë dalë nga shtëpitë në rrugë për shkak të frikës.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel