Embargoja ndaj Kubës në OKB, SHBA-të abstenojnë për herë të parë

26/10/2016 00:00

Për herë të parë pas 25 vjetësh, SHBA-të kanë abstenuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në rezolutën që i jep fund embargos ndaj Kubës.

Që prej 1992, SHBA dhe aleati i përhershëm Izraeli kanë votuar kundër rezolutës, e cila shpeshherë është mbështetur dhe nga vende pa influencë të madhe në diplomacinë ndërkombëtare, si Shqipëria, Uzbekistani, ishujt Marshall dhe Palau.

Britania e Madhe dhe shumë shtete të BE-së abstenuan në dy vitet e para të propozimit të kësaj rezolute, por që prej 1994 kanë votuar në mënyrë unanime për dënimin e kësaj embargoje.

Rezoluta u fut në votim vitin e kaluar me 191 vota në favor, por vetëm SHBA dhe Izraeli votuan kundër. Këto rezoluta nuk janë imponuese por mbajnë një peshë të rëndësishme në politikën botërore, sidomos në një rast si Kuba, që përfaqëson një prej izolimeve më të gjata nga pjesa tjetër e globit.

Top Channel