OKB ngre alarmin, mbi 3800 të mbytur në Mesdhe

26/10/2016 00:00

Ky është viti me vdekjeprurës për të gjithë refugjatët që kanë kaluar detin Mesdhe për të arritur Europën. Alarmin e ka ngritur Agjencia e Refugjateve në OKB.

Të paktën 3800 njerëz kanë humbur jetën në tentativë për të lënë territoret e zaptuara nga lufta , në kërkim të një shprese më të mirë. Shumica e atyre që kanë humbur jetën janë shtetas libiane, të cilët ishin nisur për në brigjet e Italisë.

Por edhe viti 2015 kishte shifra alarmante sa i përket vdekjes së emigranteve ku 3700 ndërruan jetë. Libia është një pikë nisje për emigrantët që ndjekin të ashtuquajturën rrugën qendrore të Mesdheut.

Rrjetet e trafikut janë të mirëvendosura atje dhe mungesa e një pushteti qendror efektiv e bën punën e trafikantëve më të lehtë.

Agjencia e Refugjatëve në OKB e konsideron rrugën si jashtëzakonisht të rrezikshme për shkak se është në det të hapur, ka rryma të forta ajri dhe mot te zymtë.

Ndërkaq, kampi që u kthye në simbol të krizës së emigrantëve, Calais u boshatis tërësisht pas operacionit të nisur nga autoritetet franceze ditën e hënë. Ata i kanë dërguar refugjatët në streha alternative dhe qendra të posaçme ku ata do të ndjekin procedurat e nevojshme për të përfituar azil.

Top Channel