Francë, pastrohet “Xhungla”, s’ka më asnjë emigrant

26/10/2016 00:00

Autoritetet në Francë deklarojnë se e kanë përfunduar operacionin për të lëvizur disa mijëra emigrantët nga kampi i refugjatëve në Kale, i njohur ndryshe si “Xhungla”.

Fabienne Buccio, prefekte e komunës pranë kampit, deklaroi lidhur me operacionin që nisi ditën e hënë se “misioni u krye”. Njoftimi vjen pak orë pasi në ambjentet e kampit janë shuar zjarret që e përfshinë, të cilat u vunë gjatë natës dhe mëngjesit të së mërkurës.

Operacioni, sipas zyrtarëve, u krye më shpejt nga sa pritej. “Xhungla u mbyll. Misioni ynë përfundoi, nuk ka më emigrantë në kamp”, deklaroi prefektja Buccio.

Deri tani, 4.404 emigrantë janë dërguar në qendra të ndryshme pritëse në mbarë vendin. Emigrantë të moshës së mitur, të cilët janë të pashoqëruar po vendosen në qendra të përkohshme të ngritura nga konteinerë të konvertuar. Nga numërimet rezulton se ata janë rreth 1.200 njësi.

Kampi në Kale ishte kthyer në simbolin e krizës migratore që përfshiu Europën, me banorët e tij që synonin të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar.

Që nga fillimi i javës autoritetet franceze filluan transferimin e tyre në streha dhe qendra të tjera, ku ata do të mund të bëjnë kërkesë për azil.

Megjithatë, edhe pse operacioni ka përfunduar, autoritetet lokale deklarojnë se njësi policore janë ende të pranishme në kamp.

Top Channel