Bushati pritet nga homologu turk: Të forcojmë bashkëpunimin

26/10/2016 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ndodhet në Turqi për një vizitë zyrtare, ku u prit nga homologu i tij turk, Mevlut Cavusoglu.

Përmes rrjeteve sociale, ministri Bushati vlerësoi takimin me kryediplomatin turk dhe shton se i ka shprehur atij mbështetjen e Shqipërisë për popullin turk dhe institucionet demokratike të Turqisë.

“Ramë dakort që të punojmë në të ardhmen me sfidat e përbashkëta për sigurinë”, thotë Bushati duke shtuar se takimet e ardhshme në nivele të larta mes dy vendeve duhet të përqendrohen në instrumentat që rrisin bashkëpunimin në tregti dhe investime.

Vizitën e vet në Turqi, Bushati e nisi me një takim me diasporën shqiptare në Ankara.

“Një komunitet impresionues me një kontribut të posaçëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të Turqisë. Shkëmbyem ide mbi mundësinë e një bashkëveprimi më të strukturuar, ku Samiti i Diasporës, që do të mbahet në Tiranë në 18-20 Nëntor, me iniciativën e Kryeministrit Rama, është natyrisht një mundësi e artë në këtë drejtim”, tha ai.

Top Channel