I akuzuar për trafik droge, Kuka: S’mendova ligjet, mendova për bukën

26/10/2016 00:00

“Kam kohë që kërkoj punë, por askush nuk më ndihmoi. Kam një fëmijë për të rritur dhe nuk kisha me çfarë ta ushqeja. Një ditë dikush me pyeti në fshat a do punë apo jo? Nuk mendova për ligjet, mendova për bukën që duhet të çoj në shtëpi si kryefamiljar”, Kjo ka qenë dëshmia e të arrestuarit për Miklovan Kuka, njëri ndër tetë të ndaluarit në Fier gjatë aksionit antidroge në fshatin Ninesh të njësisë administrative Fratar.

Për 31-vjeçarin Kuka sëbashku me katër të tjerë të dyshuar se ishin punëtorë në vendin ku u sekuestruan 145 kilogramë kanabis Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi arrest me burg me afat 30 ditor.

Në fakt masën lehtësuese e kërkuan prokurorët e çështjes të cilët më herët vendosën të procedojnë në gjendje të lirë edhe dy gra që u kapën në kushtet e flagrancës në banesën ku pastrohej kanabisi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se hetimet për këtë dosje kanë nisur që në qershor 2016 ndaj tetë personave të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Top Channel