“Drenica II”, PDK: Dënimi i grupit, tendencë për inkriminimin e luftës së UÇK-së

26/10/2016 00:00

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj dënimit të komandantëve e luftëtarëve të UÇK-së. PDK-ja, përmes një reagimi për mediet ka thënë se, me këto dënime jo të drejta, haptazi vërehet tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UÇK-së dhe e krijimit të barazpeshës mes kësaj lufte dhe agresionit të Serbisë.

“Ne vazhdojmë të besojmë në pafajësinë e luftëtarëve dhe në luftën e drejtë të UÇK-së, si dhe kërkojmë veprime që mbrojnë imazhin e drejtësisë. Nuk do të pajtohemi me aktgjykime, që kanë për bazë motive të tjera jashtë drejtësisë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Ja reagimi i plotë:

“PDK ka përcjellë me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së në secilin rast, e në veçanti në ërastin Drenica. Në cilindo rast të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar çdo normë ndërkombëtare. Kjo edhe është vërtetuar në shumë raste, nga të cilat është tentuar të dëmtohen figura të larta çlirimtare dhe vet lufta e drejtë e UÇK-së. Rasti i fundit tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë, ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi ishte një tendencë e mohimit të vlerave tona sublime dhe dënimit të figurave të larta, edhe në kundërshtim me vet standardet e drejtësisë të njohura në botë dhe ligjet e Kosovës. Me këto dënime jo të drejta, haptazi vërehet tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UÇK-së dhe e krijimit të barazpeshës në mes të luftës së drejtë të UÇK-së dhe agresionit të Serbisë. Shqetësim edhe më i madh për ne është se janë dënuar pa të drejtë, duke u cënuar edhe vet sistemi i drejtësisë dhe nocioni drejtësi për qytetarin tonë. PDK-ja ka qëndrim të qartë për drejtësinë si sistem i pavarur, profesional dhe i paanshëm, por në çdo rast të cënimit të këtij parimi, si në këtë radhë, fton institucionet e duhura vendore dhe ndërkombëtare, që të veprojnë sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare në çdo rast dhe të korrektojë çdo padrejtësi që është vërejtur gjatë këtij procesi gjyqësor, që nuk duhet të jetë pjesë e jetës juridike të një shteti demokratik. Ne vazhdojmë të besojmë në pafajësinë e luftëtarëve dhe në luftën e drejtë të UÇK-së, si dhe kërkojmë veprime që mbrojnë imazhin e drejtësisë. Nuk do të pajtohemi me aktgjykime që kanë për bazë motive të tjera jashtë drejtësisë”.

Top Channel