Vaksinimi nga gripi; Projekti për mbrojtjen e personelit mjekësor

26/10/2016 00:00

Ka nisur vaksinimi i personelit mjekësor ndaj virusit të gripit,pasi sipas specialistëve të Shëndetit Publik ata mund të shërbejnë i burim i përhapjes së këtij virusi te pacientët.

“Personeli shëndetësor vaksinohet për vetë faktin sepse ata janë një nga grupet më të rëndësishëm të rrezikut. Ata mund të bëhen burim infeksioni për të tjerët. Ata mund të infektohen nga pacientët e sëmurë”, shpjegon Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive.

Nga Kukësi, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i ka bërë thirrje të gjithë personelit shëndetësor të vaksinohet në mënyrë që të mbrohen nga infeksionet virale.

“Viti i tretë që ministria e Shëndetësisë ofron mundësinë që personeli shëndetësor që është më në kontakt me pacientët, të mund të mbrojë shëndetin e këtij personeli nga agjentët biologjikë. Është edhe një detyrim ligjor, prej vitit 2014 kemi miratimin e një pakete të plotë ligjore që mbron shëndetin e punonjësve në Shqipëri sipas sektorëve të ndryshëm“, u shpreh Beqaj.

Sipas Binos, vaksina ndaj gripit duhet të bëhet nga të moshuarit, personat me sëmundje kronike, fëmijët e vegjël në mënyrë që ta kalojnë sa më lehtë gripin dhe të mos manifestojnë simptoma të rënda çka do të sillte komplikacione për këto grupmosha.

Top Channel