Kosovë, të dhënat e fundit: 140 shtetas janë aktualisht në Siri dhe Irak

26/10/2016 00:00

Gjatë punimeve të Konferencës ndërkombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të mbajtur në Kosovë, përfaqësuesi i Departamentit kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, Blerim Rama ka bërë të ditur se aktualisht, numri i kosovarëve që janë pjesë e organizatave terroriste është 140.

Sipas asaj që thotë ai, 75 persona dyshohen se janë aktivë përkrah organizatave terroriste.

“Bazuar në të dhënat, grupi i parë i luftëtarëve nga Kosova, të cilët kanë shkuar për t’iu bashkëngjitur grupeve terroriste, është nisur në pjesën e dytë të vitit 2012. Numri i përgjithshëm i kosovarëve që kanë udhëtuar nëpër zonat e luftës konsiderohet të jetë 316, mes të cilëve janë 44 gra dhe 29 fëmijë. Në këtë numër janë regjistruar edhe 38 qytetarë, që kanë nënshtetësi të dyfishtë. Vlerësohet se, momentalisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është 140, duke përfshirë 75 persona aktivë përkrah organizatave terroriste, të shoqëruar nga gratë dhe fëmijët e tyre. Aktualisht atje janë 38 gra dhe 27 fëmijë. Sipas të dhënave që kemi, 58 shtetas të Kosovës dyshohen të jenë vrarë. Shumica prej tyre besohet të jenë vrarë nga terroristët, për arsye se kanë dashur të ikin. Mosha e qytetarëve të Kosovës të vrarë vërtitet prej 18 deri në 27 vjeç, shumica e të cilëve me një gjendje tejet të rëndë ekonomike, sociale, me edukim të ulët, dhe një pjesë e tyre kanë precedentë kriminalë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, që nga viti 2013 policia ka arrestuar 127 persona të dyshuar për lidhje me terrorizmin.

Top Channel