Kosovë, të enjten seancë e jashtëzakonshme për çështjen “Drenica”

26/10/2016 00:00

Kuvendi i Kosovës ishte parashikuar të mblidhej sot në një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar rreth dënimeve të ish-udhëheqësve të UÇK-së në çështjen “Drenica”.

Por, pas mbledhjes së Kryesisë në orën 14:00, u mor vendimi që seanca e jashtëzakonshme, me nismëtarë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës do të mbahet ditën e nesërme, për shkak se nuk është bërë e mundur mbledhja e deputetëve.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Kryesia e shqyrtoi kërkesën e grupit parlamentar të PDK-së dhe “për këtë ramë dakord që nesër të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme në orën 10, për të diskutuar për vlerat e luftës”.

Në mbledhjen urgjente të Kryesisë kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, përveç atyre nga “Lista Serbe”.

“Seanca, e cila ishte menduar të thirrej sot, është debat për vlerat e UÇK-së pas vendimit të së hënës ndaj grupit të Drenicës. Ramë dakord që kjo seancë të thirret të enjten në orën 10:00, për shkak se sonte është gati e pamundshme të thirren deputetët”, tha deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti.

Burime të Top Channel brenda Kuvendit të Kosovës kanë thënë se, në fund të kësaj seance pritet të nxirret një rezolutë në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Top Channel