Mrekulli në SHBA, mbijetojnë fëmijët ndërsa vetëvritet babai

26/10/2016 00:00

Dy fëmijë të vegjël i mbijetuan vetëvrasjes së babait të tyre, që së bashku me ata në krahë u hodh nga një urë në Nju Xhersi të Amerikës.

Pavarësisht incidentit tragjik, që i kushtoi jetën John Spincken, autoritetet amerikane e kanë cilësuar si një mrekulli mbijetesën e dy djemve 1 dhe 3 vjeç. Babai i tyre, mjaft i shqetësuar nga problemet familjare me bashkëshorten, mori dy fëmijët ne krahë dhe u hodh nga lartësia 30 metra, duke rënë mbi pemët që gjendeshin poshtë.

Policia e Nju Xhersit tha se, kur mbërriti në vendngjarje, zbuloi dy fëmijët pranë trupit të babait të tyre, me dëmtime shumë të lehta. Hetuesit thanë se nuk mund të shpejgonin sesi fëmijët janë ende gjallë, ndërsa pranuan se hipoteza më logjike është që degët e pemëve të kenë zbutur rënien e tyre, falë edhe peshës së lehtë trupore të dy djemve të vegjël.

Autoritetet thanë se fëmijët po kurohen në spital për plagët e marra, që nuk janë aspak kërcënuese. Hetuesit thanë se Spincken kishte debatuar ashpër me gruan e tij dhe kishte kërcënuar se do të lëndonte veten dhe fëmijët.

Sipas policisë, agjentët nuk mundën të mbërrinin në vendngjarje në kohë për të ndaluar hedhjen e tij nga ura, por mbijetesa e dy fëmijëve që habiti të gjithë ishte mrekullia që zbuti disi vdekjen tragjike të babait të tyre.

Top Channel