Afganistan, masakër e Shtetit Islamik. Ekzekutohen dhjetëra civilë

26/10/2016 00:00

Plot 30 persona u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga militantët e Shtetit Islamik në provicën Gor të Afganistanit. Autoritetet afgane thanë se, civilët dhe dy tufa me dele që ata zotëronin u rrëmbyen nga militantët, ndërsa mblidhin dru zjarri në male.

Mësohet se gjatë operacionit ushtarak për të çliruar pengjet u vra një prej komandantëve lokalë të Shtetit Islamik dhe në formë hakmarrjeje, militantët e tjerë ekzekutuan civilët, mes të cilëve kishte edhe fëmijë.

Analistët thonë se kjo masakër është një tjetër shenjë se Shteti Islamik ka hedhur baza edhe në Afganistan, ku po sfidon fuqishëm talebanët. Për më tepër, pjesa qendrore e Afganistanit, ku bën pjesë provinca Gor, nuk njihej më herët si zonë ku operojnë militantët e Shtetit Islamik, që deri më sot ishin kufizuar në lindje të vendit.

Talebanët dhe Shteti Islamik i shpallën luftë njëri-tjetrit në janar të vitit 2015 dhe që atëherë kanë pasur mjaft përballje mes tyre në Afganistan. Ndërsa autoritetet afgane duken të pafuqishme të përballen me këto grupe terroriste, Shteti Islamik po forcohet gjithnjë e më shumë në Afganistan, ku ka rekrutuar dhe disa komandantë talebanë, që kanë shpallur besnikërinë e tyre ndaj këtij grupi terrorist.

Top Channel