Filipine, Duterte: Nuk do t’u bindemi amerikanëve

26/10/2016 00:00

Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte rindezi luftën verbale me Shtetet e Bashkuara, duke kujtuar mëri të vjetra dhe duke sulmuar influencën amerikane në vendin e tij e në rajon.

Gjatë një fjalimi, Duterte kritikoi sërish aleatin e vjetër ndërkombëtar dhe u bëri jehonë komenteve të një jave më parë, kur lajmëroi fundin e marrëdhenieve të Filipineve me SHBA-të. Ai tha se mëritë me Amerikën ekzistojnë që prej zgjedhjeve të fituara prej tij, me premtimin se do të zhdukë krimin e në veçanti trafikun e drogës.

“Nuk e nisa unë këtë përballje. E nisën ata. Departamenti i Shtetit, Obama, BE e të tjerë më kritikuan për të drejtat e njeriut. Thanë që do të na reduktojnë ndihmat. Por unë iu thashë se nuk jemi qentë e tyre që të bindemi”, deklaroi Duterte.

Presidenti filipinas foli edhe mbi marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me SHBA-të, për të cilën edhe më herët ka thënë se do ta injorojë, duke nisur me anulimin e stërvitjeve të përbashkëta.

Duterte u shpreh mjaft hapur se nuk dëshiron të shohë asnjë uniformë ushtarake veç atyre të Filipineve në territorin e vendit dhe se do të aplikojë një politikë të jashtme, ku nuk do të pranojë kërkesat e askujt.

Përsa i takon mosmarrëveshjeve territoriale me Kinën, Duterte tha se ato duhen diskutuar, por ka ende kohë për këtë. Pas vizitës në Pekin, ky ishte një ndryshim i qartë i qëndrimit të tij, pasi në fushatë premtonte zgjidhje të menjëhershme të kontradiktave për detin dhe ishujt me Kinën.

Top Channel