Trump sulmon Clintonin: Planet për Sirinë mund të çojnë në Luftën e Tretë Botërore

26/10/2016 08:15

Donald Trump e sulmoi sërish kundërshtaren e tij, Hillary Clinton, duke shënjestruar këtë herë vizionin e saj në politikën e jashtme. Planet e Clintonit për Sirinë – tha kandidati presidencial republikan, – mund të çojne në fillimin e Luftës së Tretë Botërore.

Bindja e tij është se Shtetet e Bashkuara duhet të fokusohen më shumë te mposhtja e ISIS-it, sesa te përpjekjet për ta bindur presidentin sirian Bashar al-Assad të lërë pushtetin.

“Ajo nuk ka asnjë plan të qartë për Sirinë. Me Clintonin presidente do ta gjeni veten në Luftën e Tretë Botërore. Ajo nuk di çfarë bën, siç ndodhi edhe me Libinë dhe me çdo gjë tjetër që ka marrë përsipër. Siria sot nuk është më Siri. Siria është Rusia dhe Irani i ri, që ndërtuam me njërën prej marrëveshjeve më të këqija që unë kam parë ndonjëherë”, tha Trump.

Ish-Sekretarja e Shtetit i mëshon idesë së krijimit të një zonë ndalimfluturimi mbi Siri, çfarë sipas disa zërave rrezikon të shkaktojë konflikt me avionët rusë.

Ndihmësit e Clintonit reaguan me akuzën se Trumpi po shfrytëzon frikën e amerikanëve.

Miliarderi nuk sulmoi vetëm demokratët, por iu kthye edhe vet anëtarëve të partisë së tij, që nuk ia mbështetën kandidaturën. Ai nuk la pa fshikulluar dhe Barack Obamën, për të cilin tha se duhet hetuar për skandalin e “e-mail”-it privat të Clintonit, e iu rikthye edhe lajtmovitit të manipulimit të zgjedhjeve, duke thënë se mashtrimet me votën janë një fenomen mjaft i zakontë.

Top Channel