Ngjela në “Top Show”: Vendimi i Kushtetueses, qesharak

25/10/2016 00:00

Gjykata Kushtetuese mori një nga vendimet më të rëndësishme të saj, pezullimin e ligjit që bën rivlerësimin e pasurive dhe kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve apo atë që tashmë njihet si ligji i “Vetting”-ut. Nga ana proceduriale, kjo do të thotë se që prej të martës ky ligj pushon së funksionuari derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar. Nga ana praktike, vendimi pezullon zbatimin e të gjithë reformës në drejtësi.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur, gjithashtu, t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion, nëse ligji është në përputhje me konventën europiane për të drejtat e njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë.

Për të diskutuar mbi këtë zhvillim të ri në vend, i ftuar në “Top Show” ishte Spartak Ngjela, i cili e vlerësoi qesharak vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin e “Vetting”-ut. Ngjela thotë se Kushtetuesja ishte mes dy zjarreve dhe se me vendimin e tyre kanë menduar të kënaqin të dyja palët.

“Gjykata Kushtetues ka qenë mes dy zjarreve të mëdha, mes presionit nga krimi që është kundër reformës dhe presionit amerikan. Menduan se më këtë vendim do kënaqnin të dyja palët. Arsyeja pse e kanë kthyer është sepse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë konflikt interesi. Tani, ngërçi teorik është se Komisioni i Venecias është këshillues. Në momentin që e çuan në Venecia bën një veprim foshnjarak sepse komisioni është këshillues nuk ka çfraë të thotë Venecia, nuk është institucion antiamerikan por është fluks perëndimor”, deklaroi Ngjela në “Top Show”. Edhe Çlirim Gjata ishte në të njëjtën linjë me Ngjelën kur ky i fundit tha se ka konflikt interesi, ndërsa shtoi se vendimi i Kushtetueses është pa arsyetim.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pa arsyetim. Duhet ta kuptojmë që Venecia nuk është gjykatë, por organ këshllimor. A kanë konflikt interesi me këtë ligj anëtarët e Kushtetueses? Po. Sepse ligji i ‘Vetting’-ut do të kontrollojë të gjithë gjyqtarët”, deklaroi Gjata.

Ndërsa, Preç Zogaj kujtoi se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet më të pakonstentuara dhe se është marrrë vendim për një nga ligjet e reofrmës dhe jo për të gjithë reformën.

“Gjykata Kushtetuese është më e pakontestuara në Shqipëri dhe duhet ta njohim këtë fakt. Është marrë vendim për një nga ligjet e reformës, por jo për të gjithë reformën. Asistenca ka ardhur sepse kanë menduar që do kontestohen dhë kjo është gjëja më e drejtë”, u shpreh Zogaj.

Ndërsa, Arion Sulo tha se Gjykata Kushtetuese ndoqi të njëjtën skemë ai për ligjin e pronave, që u çua për mendim në Komisionin e Venecias.

“Nën një situatë të polarizuar, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur që të heqë dorë nga detyra e tyre parësore për të dhënë drejtësi. E njëjta skemë u ndoq dhe për ligjin e pronave, që u çua për mendim në Komisionin e Venecias”, deklaroi ai.

Spartak Ngjela vijoi argumentimin e tij duke thënë se ligji nuk ka frenim juridik, por politik. Sipas tij, ekziston një marrëveshje e heshtur, që ai e quajti “marrëveshje banditësh”, mes prokurorëve e gjyqtarëve në njërën anë dhe politikanëve në anën tjetër, për të mbrojtur këta të dytët.

“Problemi është i thjeshtë dhe duhet të flasim juridikisht dhe politikisht. Duhet ta kuptojmë që nuk ka frenim juridik, por politik. Cili është frenimi politik? Lufta nuk është ashtu siç u tha këtu, se po të dënonin prokurorët e gjyqtarët kriminelët nuk do niste me ta, por kanë një marrëveshje të heshtur me politikanët, marrëveshje mes banditësh. Të gjithë politikanët janë të trembur nga reforma”, u shpreh Ngjela.

Ai thotë se reforma është e njëjtë si ajo kroate, duke treguar edhe dallimin që ka me atë rumune e bullgare.

“Reforma është e njëjtë si ajo kroate dhe jo si ajo bullgare e rumune. Ku është ndryshimi? Bullgarisë e Rumanisë iu kërkua një reformë e tillë pasi u anëtarësuan në Bashkimin Europian, ndërsa Kroacisë më përpara. Kryeministri kroat që e pranoi reformën më pas shkoi në burg, histori tjetër që më pas u lirua sepse doli i pafajshëm”, vijoi Ngjela.

Avokati deklaroi gjithashtu se pa reformë nuk ka anëtarësim në Bashkimin Europian, pasi ata që janë të njollosur janë elita politike, dy-tre kryeministra dhe gjyqtarët.

Top Channel