BB: Raporti, mesazh për investitorët. Progresi, i shkëlqyer

25/10/2016 00:00

Shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Taseen Sayed komentoi për Top Channel renditjen e Shqipërisë në raportin e fundit të “Të bësh biznes”, e cila u përmirësua me 32 vende.

“Ky është me të vërtetë një progres i shkëlqyer. Ka pasur përmirësime serioze në disa fusha, si lejet e ndërtimit, sigurimi i energjisë dhe pagesa e taksave, të cilat janë lehtësuar me ngritjen e sistemit online”, tha Sayed.

Për shefen e Bankës Botërore, raporti është një mesazh i qartë edhe për investitorët e huaj.

“Ky raport është i rëndësishëm, sepse jep një sinjal. Pra, ai sinjalizon nëse një ekonomi po lëviz për lart, po qëndron në vend, apo po lëviz për poshtë. Sinjali i sotëm është se ekonomia shqiptare, kuadri rregullator i Shqipërisë po lëviz për lart”, u shpreh më tej Sayed.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria tashmë renditet në vendin e 58 në botë, me klimën më miqësore të biznesit.

“Por, ajo që duhet bërë tani është që të lehtësohen më tej procedurat e lejeve të ndërtimit dhe të thellohet progresi i arritur në furnizimin dhe lidhjen e bizneseve në rrjetin e energjisë. Po kështu është shumë e rëndësishme të përmirësohen proceset e transferimit të pronës dhe të bëhet më efiçente zgjidhja e konflikteve tregtare në gjykata”, deklaroi Taseen Sayed.

Top Channel