Skuadra më e vjetër e planetit, Sheffield FC aplikon në UNESCO

25/10/2016 00:00

Sheffield F.C. ka aplikuar zyrtartisht për të qenë nën patronazhin e UNESCO-s, si një trashëgimi botërore e kulturës. Skuadra e parë dhe ajo me historinë më të pasur në futbollin planetar ka celebruar 159-vjetorin e krijimit, ndaj dhe drejtuesit menduan diçka të veçantë për të përjetësuar imazhin dhe emblemën e klubit të vendit ku lindi futbolli.

“Kjo lëvizje për njohjen kulturore dhe sportive nuk është vetëm për ekipin tonë, por për të gjithë tifozët e sportit më popullor në botë, që duan të njohin hapat e parë. Në këtë mënyrë ne njohim ‘Olive Grove’, si fushën ku u krijua ekipi i parë i futbollit më 24 tetor 1857”, tha presidenti i klubit historik anglez.

Thuajse 16 dekada më parë, në South Yorkshire u zhvillua takimi përurues i klubit të themeluar nga anëtarë të një klubi lokal të “cricket”-it, Nathaniel Creswick dhe William Prest. Si klubi më antik në botë, Sheffield FC është titulluar me çmimin prestigjoz të FIFA-s, “Urdhër i Nderit”, klubi i vetëm veç Realit të Madridit që mban këtë titull.

Në vitin 1857, formacioni i Sheffield FC shënoi fillimin e lojës së futbollit zyrtar me krijimin e rregullores së parë të shkruar të futbollit dhe vlerat origjinale të integritetit, respektit dhe bashkësisë sportive.

Top Channel