Artan Lame “i rilindur”: Gazetarët kishin përgatitur lajmin për vdekjen time

25/10/2016 00:00

Artan Lame është rrëfyer për gjithçka në “Pasdite në Top Channel”. Ai ka folur për herë të parë edhe për momentin kritik të jetës së tij. Lame ka treguar përballjen me vdekjen dhe se si ka ndryshuar jeta pas operacionit në zemër.

“Pas provës me shëndetin, të gjithë menduan se nuk do të rikthehesha më fare, por u riktheva. Një nga pasojat që më la semundja ishte që më bëri të humbas frikën nga vdekja. Realisht e kam humbur edhe pse mund të ndodhë çdo gjë. Mendova se pas asaj që kalova do bëhesha më i qetë, por jam bërë më përshpejtues. E llogaris më tepër vlerën e çdo momenti që kaloj dhe që humbas. Dy-tre media kishin bërë gati shkrimin për vdekjen time, për ta do ishte një gjë normale, bëje gati se nuk i dihet…por tashmë është një histori e kaluar”, tha Lame në intervistë me Jonida Shehun.

Për Artan Lamen, njeriu më i rëndësishëm është gruaja e tij. “Unë kam një bashkëshorte pa të cilën do shuhesha, në kuptimin që unë nuk di të bëj asgjë vetë, duke filluar që nga gatimi, veshja, ilaçet që duhet të pi, nuk mund të shkoj tek doktori pa të. Ajo mbulon të gjitha detyrat e familjes”, tregoi Lame në studion e “Pasdite në Top Channel.

Drejtori i ALUIZNI-t ka një këndvështrim të ri për jetën dhe thotë se të gjitha sherret e përditshme janë pa vlerë. Njeriu, sipas tij, nuk i jep rëndësi gjërave të vogla që mbushin jetën, vetëm kur je në kontakt me vdekjen e kupton çfarë vlen realisht.

Koleksionimin e cilëson si një sëmundje që nuk kalon lehtë dhe shpreson që një ditë të ketë një vend në muze ku të ekspozojë gjithçka me vlerë që ka. Lame ka rrëfyer një sekret për shikuesit e “Pasdite në Top Channel”: objektet me vlerë i mban nëpër shtëpitë e miqve të tij, pasi janë aq shumë dhe nuk ka vend në shtëpi për të gjitha.

Duke folur për Shqipërinë, Lame tha se nuk do ta braktisë kurrë vendin e tij. “Shqipërinë nuk do e lë asnjëherë. Edhe në vitin e vështirë 1997 unë kam qenë këtu tek puna ime e parë. Mezi prisja orën për të shkuar në punë, me aq pasion e kisha. Të duash vendin tënd nuk do të thotë të tundësh flamurin në ndeshje futbolli, por të bësh gjëra të vogla përditë mirë”, tha Lame. Duke shpresuar të mos e marrin për racist, Lame tha: “Nëse i largojmë shqiptarët, Shqipëria bëhet parajsa mbi tokë”. Ai citoi shprehjen që i është vënë në gojë Ismail Qemalit: “Shqipërinë e bëmë, tani duhet të bëjmë shqiptarët”.

Duke e përshkruar shoqërinë tonë si një vend pa rregulla, Lame tha se kjo bën që njerëzit të jenë të ashpër edhe këtë gjë e shikon tashmë edhe në rrjetet sociale. Është e pabaesueshme, sipas tij, vreri, dufi, inati që njerëzit derdhin aty, duke e cilësuar komunikimn anonim si një tjetër pabesi.

Lame tregoi gjithashtu se gjatë gjithë kohës që ka punuar në shtet ka pasur fatin të bëjë gjithmonë punë që i ka pasur me qejf dhe që i kanë falur kënaqësi, por si shef nuk është shumë i rreptë. “Lloji i punës ku jam sot kërkon që ta mbash gjthmonë situatën të tensionuar, legalizimi është një çështje e rëndësishme. Bëhem ndonjëherë edhe i ashpër, mbase më shumë seç duhet. Unë si tip nuk jam i qetë me thënë të drejtën, kam kaluar disa prova dhe mbijetova, por presionin e bëj për një arsye. Jo për t’u dukur, por mbajtja nën presion dhe nxitja bën që motori të ecë me gjithë shpejtësinë”, tha Lame.

Top Channel