Mali i Zi, Djukanoviç: Po hetojmë përfshirjen e Rusisë dhe Serbisë në përpjekjen për atentat

25/10/2016 00:00

Kryeministri malazez, Milo Djukanoviç ka bërë të ditur se Rusia ka qenë e përfshirë në atentatin e dështuar ndaj tij në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Duke folur këtë të martë, Djukanoviç tha se ngjarja e 16 tetorit, gjatë së cilës u arrestuan 20 persona, “ka një lidhje të fortë me një faktor të jashtëm”. Mes të arrestuarve ishte edhe një ish-komandant i forcave speciale të policisë në Serbi.

Grupi në fjalë dyshohet se po planifikonte sulme ndaj vet kryeministrit, por edhe mbështetësve të tij, menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve parlamentare të shpallej.

Rusia ka kundërshtuar me forcë përpjekjen e Malit të Zi për t’iu bashkuar NATO-s, ndërkohë që edhe udhëheqësit opozitarë të vendit kanë bërë vizita të shpeshta në Moskë gjatë kohëve të fundit.

Djukanoviç premtoi gjithashtu se autoritetet e vendit do të hetojnë shkallën e përfshirjes në atentatin e dyshuar, qoftë të Rusisë, ashtu dhe të Serbisë.

Partia e Djukanoviç fitoi zgjedhjet, megjithatë asaj do t’i nevojiten partnerë koalicioni për të vijuar qeverisjen e vendit.

Reagimi i kryeministrit malazez vjen një ditë pas konferencës për shtyp të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili deklaroi se shërbime të ndryshme sekrete nga Perëndimi dhe nga Lindja janë përplasur në territorin e këtij shteti.

Top Channel