“Heathrow”, së shpejti me një pistë të tretë. Reagime pro dhe kundër

25/10/2016 00:00

Ai është një prej aeroporteve më të rëndësishëm të botës. I dyti në botë sa i përket trafikut ndërkombëtar të pasagjerëve, teksa pas e lë vetëm Aeroporti ndërkombëtar i Dubait, më i ngarkuari në Britaninë e Madhe, por edhe në Europë, ndërsa renditet i gjashti në botë për trafikut total të pasagjerëve.

Në vitin 2015, nga “Heathrow” kaluan rreth 75 milionë pasagjerë, me një rritje prej 2.2 për qind. E megjithatë këto shifra duken se nuk mjaftojnë.

Qeveria britanike ka miratuar zgjerimin e aeroportit me një pistë të tretë, pas takimit të kabinetit gjatë kësaj të marte. Sekretarja për Transportin, Chris Grayling tha se ky vendim me të vërtet i rëndësishëm do të fuqizojë tregtinë dhe do të krijojë vende të reja pune.

Aeroporti “Gatwick” është ai më i prekuri dhe më i zhgënjyeri nga ky vendim, pasi e konsideron si “një përgjigje jo e duhur për Britaninë”. Sekretari i Jashtëm Boris Johnson, një kundërshtar i fuqishëm i “Heathrow”, tha se pista e tretë e tij do të ishte “joproduktiv”.

Edhe parlamentarë nga zonat “Uxbridge” dhe “South Ruislip” në Londrën perëndimore ngritën dyshime nëse duhet të nisin punimet. “Dita kur buldozerët do të nisin punimet është shumë e largët, gjithnjë nëse kjo do të materializohet”.

Sadiq Khan, kryebashkiak i Londrës, doli gjithashtu në kundërshtim të zgjerimit të aeroportit të Londrës perëndimore, duke e quajtur si një vendim të gabuar si për vet kryeqytetin, edhe për Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu. Ndërsa shefi britanik i “Greenpeace”, John Sauven tha se pista e tretë në “Heathrow” do të rriste ndotjen e ajrit dhe do të përbënte vetëm një shpenzim të padobishëm kohe, parash, por edhe jetë njerëzish.

Megjithatë, një sërë sindikatash dhe grupesh biznesi mirëpritën vendimin për zgjerimin e aeroportit në fjalë. Vet stafi menaxherial i “Heathrow”-it tha se aeroporti është i gatshëm për të ndërtuar pistën e tretë, një zhvillim “i drejtë, i përballueshëm dhe që siguron përfitime për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”.

Top Channel