Falja e kamatëvonesave, Gjiknuri: Për paguesit e rregullt falje të tjera

25/10/2016 00:00

Të paktën 35 mijë familjarë, mes të cilëve kategori në nevojë, do të përfitojnë falje të mëtejshme të kamatëvonesës nëse vazhdojnë të jenë të rregullt me pagesat e detyrimeve të prapambetura dhe faturën mujore, sipas aktmarrëveshjes që kanë me OSHEE-në.

“Për të gjithë ata që kanë qenë të rregullt me këstet, ne po mendojmë të bëjmë një tjetër lëshim, për të gjithë juve”, deklaroi ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri në një takim me abonentët.

“Kategoritë në ndihmë ekonomike, invalidët, pensionistët do të ketë zerim të kamatëvonesës kundrejt një pagese simbolike”, tha Adrian Çela, drejtor i OSHEE-së. Kjo vlerë simbolike është 20 lekë.

Ndërsa vlera që parashikohet të falet nga OSHEE llogaritet në 8 deri në 9 miliardë lekë. Kategoritë në nevojë, sipas aktmarrëveshjes, shlyejnë detyrimet e prapambetura me një këst prej 1.200 lekë në muaj.

Ndërsa për konsumatorët e tjerë familjarë, pagesa mujore për borxhin ndaj OSHEE është 2.800 lekë.

Top Channel