Apeli Tatimor kalon në vartësi të Financave

25/10/2016 00:00

Procedurat e reja tatimore parashikojnë kalimin si strukturë të Apelit Adminsitartiv Tatimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tek Ministria e Financave.

Çështjet ku bëhet fjalë për shuma të mëdha do të shqyrtohen nga një bord i jashtëm i administratës publike, me profesionistë nga disa fusha.

“Për shuma të konsiderueshme do merrte vendim një drejtor me inspektor. Ky është meraku im. Ne po tentojmë t’i heqim të drejtën një individi të gjykojë shuma marramendëse. Bordi do të ngrihet me VKM”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Ndryshimi vjen pasi ishin inspektorët e emëruar nga vetë drejtori që vendosnin për vendime të marra nga e njëjta administratë. Kjo pati bërë që vetëm 4 për qind e apelimeve të merreshin parasysh.

Opozita është pro këtij ndryshimi, por kundërshton krijimin e bordit të jashtëm, me argumetin se çështjet administrative apelohen nga struktura të brendshme.

“Kjo mund të tejkalohet vetëm duke e marrë si njësi me të njëjtat funksione nën vartësi të ministrit të Financave, duke funksionuar si pjesë e ministrisë. Krijimi i bordeve me njerëz të shtuar është pak i tejkaluar”, tha ish-ministri Ridvan Bode.

Financat pritet të riformulojnë nenin. Ndërkohë që është e sigurt se apelimi tatimor do funksionojë si shkallë vetëm pranë Ministrisë së Finacave dhe vendimet e tij mund të kundërshtohen në Gjykatën Administrative.

Top Channel