Kushtetuesja pezullon Vetting-un, pranohet kërkesa e parë e PD-së

25/10/2016 00:00

Pa kaluar 3 javë nga kërkesa e Partisë Demokratike kundër ligjit të “Vetting”-ut, Gjykata Kushtetuese mori një nga vendimet më të rëndësishme të saj, pezullimin e ligjit që bën rivlerësimin e pasurive dhe kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nga ana proceduriale, kjo do të thotë se që prej të martës ky ligj pushon së funksionuari derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar. Nga ana praktike, vendimi pezullon zbatimin e të gjithë reformës në drejtësi. Gjykata Kushtetuese ka vendosur, gjithashtu, t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion, nëse ligji është në përputhje me konventën europiane për të drejtat e njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë.

Sipas Partisë Demokratike, që ankimoi ligjin në Kushtetuese dhe kërkoi pezullimin e tij, “Vetting”-u ka shkelje flagrante të Kushtetutës sepse vendos nën kontrollin e qeverisë institucionet e reja të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese ka njohur si palë të interesuar në proces edhe Unionin e  Gjyqtarëve, të cilët ende nuk kanë marrë një vendim, nëse do ta vlerësojnë apo jo antikushtetes ligjin e  “Vetting”-ut.

Është ende i paqartë nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vetingut ka qenë unanim, por Top Channel mësoi se nga 9 anëtarë, në mbledhje kanë marrë pjesë 8 prej tyre. Gjykatësi Sokol Berberi ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij, pas mbarimit të mandatit pak kohë më parë.

Ligji i “Vetting”-ut është ligji kyç për zbatimin e reformës në drejtësi. Pa këtë ligj nuk mund të krijohen organet që bëjnë rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, komisioni i pavarur i kualifikimit dhe Kolegji i Apelit. Pa këto dy organe del jashtë loje edhe operacioni ndërkombëtar i monitorimit, i cili ka detyrë kushtetuese të mbikqyrë të gjithë procesin e “Vetting”-ut.

Me këtë ligj është e lidhur edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme, gjykatave speciale dhe bashkë me të edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Këto janë institucionet e reja të parashikuara në të vetmin ligj që kaloi me konsensus me ndërhyrjen e amerikanëve, por ato nuk mund të ngrihen nëse prokurorët apo gjyqtarët nuk kalojnë më parë procesin e rivlerësimit.

Në të njëjtat kushte janë edhe organet e reja të qeverisjes së gjyqësorit. Megjithëse ligji ende nuk është miratuar në Kuvend, as Këshilli i Lartë Gjyqësor, as Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk mund të krijohen pa u bërë më parë “Vetting”-u i anëtarëve gjyqtarë dhe prokurorë.

Me pak fjalë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka pezulluar vetëm një ligj, por themelin e zbatimit të reformës në drejtësi. Dhe bashkë me të, ka pezulluar zbatimin  e Kushtetutës së re.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel