Boshatisja e “xhunglës” në Calais, emigrantët po largohen me forcë nga policia

25/10/2016 00:00

Pati momente tensioni mes emigrantëve dhe policisë në qendrën e verifikimit të kampit të Calais (Kalèsë) në Francë. Punonjësit e ndihmës ndërhynë për të zbutur gjakrat, përpara shkatërrimit të atij që njihet ndryshe si “xhungla”, e që ka strehuar në kushte të mjerueshme 7.000 deri në 8.000 të ardhur.

Personave që do të shpërngulen prej aty do t’iu ofrohet sistemim në qendrat e refugjatëve anembanë Francës e do t’iu jepet gjithashtu mundësia të kërkojnë azil. Por një nga shqetësimet kryesore që mundon banorët e kampit janë fjalët që qarkullojnë aty.

“Kam dëgjuar se, nëse shkoj në Britani dhe më kanë marrë shenjat e gishtave në Itali, qeveria britanike mund të më kthejë në Itali. Ky është problemi këtu. Ne këtë nuk mund ta durojmë dot”, tha një emigrant sudanez.

Anglia ka filluar të pranojë një pjesë prej fëmijëve të pashoqëruar që jetojnë në kamp, e që llogariten në mbi 1.300. Më shumë se 2.000 vetë e lanë kampin vullnetarisht të hënën. Eksodi do të vazhdojë edhe sot, e qindra refugjatë janë vënë në radhë në pritje të largimit.

Sipas qeverisë franceze, operacioni i zhvendosjes së emigrantëve bëhet për shkaqe humanitare. Shkatërrimi i “xhunglës”, synon të mbyllë një kapitull të vështirë në krizën europiane të emigrantëve. Kampi ka tensionuar marrëdhëniet mes Francës dhe Britanisë, e ka sjellë edhe tensione me banorët e Calais (Kalèsë).

Top Channel