Gara e Malajzisë në F1, mendohet dalja nga kalendari

25/10/2016 00:00

Çmimi i Madh i Malajzisë është pjesë e Botërorit të Formula 1 që nga viti 1999. Por së fundmi duket se gjërat kanë ndryshuar disi. Organizatorët e kësaj gare kanë zhvilluar një mbledhje ku është hedhur ideja që kjo pistë të dalë nga kalendari i këtij botërori.  Ai që e konfirmoi këtë ishte pikërisht përgjegjësi i pistës malajaziane, Datuk Ahmad Ruzlan për mediat vendase.

“Ndoshta është më mirë që Malajzia të shkëputet për një farë kohe nga Botërori i Formula 1”, tha Ruzlan për median. “Besoj se spektakli që po ofron Formula 1 nuk është aq emocionues si më parë. Ky kampionat po dominohet nga vetëm një skuadër”.

Një opinion ky, që duket se ka gjetur edhe mbështetjen e qeverisë malajziane.

“Besoj se duhet të qëndrojmë jashtë Formula 1 për pak kohë, pasi kostot e organizimit të garës janë shumë të larta, kurse të ardhurat e përfituara nga investimet janë të kufizuara”, ishte deklarata e ministrit të Rinisë dhe Sporteve në Malajzi.

Problemi qëndron në faktin se organizatorët e garës së Malajzisë kanë një kontratë me Bernie Ecclestone deri në vitin 2018, ndërkohë që ky Çmim i Madh është i përfshirë në kalendarin zyrtar të Boterorit të Formula 1 të vitit të ardhshëm.

Top Channel