ATP Tour Finals, fitojnë Pliskova e Kuznetsova

25/10/2016 00:00

Karolina Pliskova e nisi mjaft mirë WTA Tour Finals që po zhvillohet në Singapor, një aktivitet ky ku marrin pjesë 8 tenistet më të mira të botës. Në ndeshjen e saj të parë në Grupin e Bardhë, Pliskova mundi Muguruza-n me rezultatin 2-1 në një ndeshje maratonës.

Pliskova arriti të fitojë setin e parë 6-2, por spanjollja iu kundërpërgjigj në të dytin të cilin e mbylli në favorin e saj me rezultatin 7-5. Seti final ishte shumë i luftuar dhe fituesja u përcaktua nga tajbrejku. Në atë moment ishte Pliskova ajo që u paraqit më mirë se kundërshtarja e saj duke i mbyllur të gjitha llogaritë e përballjes.

Po kaq e luftuar ishte edhe ndeshja tjetër e këtij grupi mes Svetlana Kuznetsovës dhe Agnieszka Radwanskas.

Tenistja ruse arriti të thyejë kundërshtaren e saj dhe e mbylli këtë përballje me rezultatin 2-1. Pasi fitoi setin e parë 7-5, rusja u pa e humbur në të dytin ku Radwanska dominoi dhe e mbylli atë 6-1. Tenistja ruse u bë protagoniste edhe e një episodi kurioz, teksa u pa të merrte gërshërët dhe të shkurtojë gërshetin e saj, një veprim ky që mesa duket i solli fat, pasi Kuznetsova arriti të fitojë setin final 7-5 dhe krejt ndeshjen 2-1 pas 2 orë e 48 minutash lojë.

Top Channel