Australi, horror në Dreamworld. 4 persona vdesin në lojërat me varka

25/10/2016 00:00

“Dreamworld”, parku më i madh i argëtimit në Australi, është kthyer në skenën e një fatkeqësie që ka kushtuar 4 jetë njerëzish. Dy burra dhe dy gra vdiqën teksa shëtisnin me varka rrethore në një lumë artificial, që lëviz shumë shpejt.

Autoritetet vendosën mbylljen e menjëhershme të parkut dhe nisjen e një hetimi mbi episodin tragjik. Njerëzit aty mbetën të tronditur.

“Pamë një vajzë që po qante me të madhe. Mendoj se në aksident ishte përfshirë nëna e saj”, tha një banor.

“Varka u rrotullua e u përmbys. Në bordin e saj kishte fëmijë që bërtisnin dhe nëna e tyre, mesa duket, kishte mbetur e bllokuar nën ujë. Ç’të them, do të preferoja të mos flisja për atë që pashë”, u shpreh një tjetër banor.

Zyrtarë lokalë thanë se një “keqfunksionim” kishte bërë që dy njerëz të vërtiteshin me forcë jashtë varkave gjatë lëvizjes, e dy të tjerë të ngecnin brenda tyre. Viktimat kanë qenë të moshave 30 deri në 40 vjeç.

Tragjedia e “Dreamworld” konsiderohet si një prej aksidenteve më vdekjeprurëse të botës nëpër parqe lojërash.

Në vitin 1972, 5 fëmijë vdiqën në një park të tillë në Britani për shkak të një defekti. 8 adoleshentë humbën jetën nga flakët që përfshinë një park argëtimi në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara në vitin 1984, ndërsa 6 persona u vranë në vitin 2010- nga simulimi i dështuar i lëshimit të një rakete në Shenzhen të Kinës.

Top Channel