Masakër në Pakistan, vriten dhjetëra studentë në shkollën ushtarake

25/10/2016 00:00

Në kohën kur vëmendja ndërkombëtare ishte përqëndruar te beteja kundër ISIS-it në Mosul dhe përpjekjet për rimarrjen e qytetit të dytë më të madh të Irakut, një masakër trondit qetësinë e Pakistanit e sposton vëmendjen e mediave botërore.

Gati 60 kadetë dhe roje sigurie mbetën të vrarë mbrëmjen e së hënës, pas një sulmi ndaj Akademisë së Policisë në qytetin e Quettas. 118 janë të plagosurit. Raportet në shtypin e huaj tregojnë se, 3 militantë me breza eksplozivi në trup hynë në shkollë mbrëmjen e së hënës, ku morën dhjetëra pengje.

Ndërhyrja e forcave të rendit zgjati me orë të tëra.

“Njëri prej terroristëve u vra nga djemtë tanë. Dy të tjerët hodhën veten në erë. Të vrarët e të plagosurit janë me dhjetëra”, tha Sarfaraz Bugti, ministër i Brendshëm rajonal.

Njëri nga të mbijetuarit tregoi për “Reuters” momentet e tmerrit.

“Militantët erdhën drejt e te kapanoni ynë dhe nisën të qëllonin pa dallim. Njerëzit filluan të bërtisnin e të vraponin. Unë u ngjita nga shkallët”, tha kadeti.

I pyetur nga reporteri se sa agresorë pati në ngjarje dhe çfarë pamje kishin, ai shtoi:

“I kishin fytyrat e mbuluara. Ishin me maska që të gjithë”.

Asnjë grup nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë e ngjarjes së rëndë, por Quetta është bërë vitet e fundit skenë e një serie sulmesh të ngjashme, disa prej të cilave vepra të separatistëve, të tjera të kryera nga militantët islamikë.

CNN thotë se, pas ngjarjes në Kolegjin e Policisë së Baluchistanit qëndron një grup i lidhur me “al Qaeda”-n, i cili ka shënjestruar në mënyrë të përsëritur minoritetin mysliman shiit të vendit.

Top Channel