Presidencialet në SHBA, në Florida nis votimi i hershëm

24/10/2016 00:00

Ne shtetin e Flordias, që konsiderohet si një prej fushëbetejave më të rëndësishme të garës presidenciale në SHBA, ka nisur votimi i hershëm.

Dy kandidatët janë hedhur në sulm e po i bien anekënd të ashtuquajturit “shteti i diellit”, me republikanin Donald Trump që ka mbajtur 5 tubime elektorale deri më tani. Votimi i hershëm me postë ka filluar disa javë më parë në Florida dhe një milionë njerëz që e kanë thënë fjalën e tyre.

Gjatë një fjalimi, biznesmeni u shpreh i sigurt për fitoren edhe pse sipas sondazheve të fundit, Clinton është në përparësi si në rang kombëtar ashtu edhe në disa shtete kyçe. Një sondazh i CBS dhe You Gov e tregoi ish-Zonjën e Parë në një avantazh prej 3 pikësh ndaj manjatit të pasurive të paluajtshme, më saktësisht 46 përqind kundrejt 43 përqind. Por për republikanin këto të dhëna janë të pavërteta.

“Ne do të fitojmë shtetin e madh të Floridas dhe gjithashtu Shtëpinë e Bardhë. Sondazhet që na tregojnë ata janë të rreme”, tha Trump.

Ndërkohë, Hilary Clinton duket se ka vendosur të mos merret më me Trump-in, e po përqendrohet tek kalimi i saj tek presidenca. Edhe pse po i intesifikon përpjekjet për të ndihmuar demokratët, veçanërisht për të fituar kontrollin e Senatit, zyrtarë të lartë thonë se ajo po kalon shumë kohë pas kuintave për të formuar një ekip në Shtëpinë e Bardhë, që do ta ndihmojë të përgatitet për një sfidë më të madhe se fitorja ndaj Trumpit, qeverisja në një ambient të përçarë politik. Sipas analistëve një pjesëmarrje e ulët në votim, përgjithësisht do të ishte në favor të Trumpit, por shpresa e tij më e madhe për sukses është pjesëmarrja e lartë e votuesve republikanë dhe e ulët e demokratëve.

Top Channel