E mërkura e De Boer, ultimatum për trajnerin e Interit

24/10/2016 00:00

E mërkura është kthyer në një ditë gjykimi për trajnerin e Interit, Frank de Boer që e shikon veten një këmbë jashtë pankinës së zikaltërve, aty ku u ul me sezonin e nisur, por që me shumë gjasa nuk do t’i jepet mundësia ta përfundojë.

Këtë mesjavë skuadra milaneze që vuajti humbjen e tretë radhazi do të luajë kundër Torinos, një sfidë delikate që edhe nëse rezulton në fitoren e Interit, vetëm sa do t’i japë pak frymëmarrje holandezit në stol.

Drejtuesit e ekipit të “San Siros” janë të ndarë mes atyre që kërkojnë De Boer për të qëndruar dhe për të patur më tepër kohë në implementimin e ideve të tij, dhe atyre që kërkojnë shkarkimin për t’i dhënë një sinjal ekipit se duhet të ndryshojë. Aksionerët e skuadrës do të zbarkojnë këtë javë në Milano për asamblenë e ortakëve ku një temë e pashmangshme është dhe ajo e trajnerit.

Në pritje të zhvillimeve të reja, Inter ka bërë të ditur se të martën në konferencë për shtyp do të jetë holandezi De Boer që ende nuk e ka konsumuar takimin direkt me drejtuesit. Besimi me kohë të kufizuar është de fakto ajo që kanë lënë të kuptohet drejtuesit kinezë, por nëse ndaj Torinos nuk do të vijnë 3 pikët, fati do të jetë i pashmangshëm për tulipanin e zikaltërve që ende nuk ka shpërthyer në futbollin italian.

Top Channel