“Check up” falas, qeveria zgjeron brezin e moshës, por kritikohet nga opozita

24/10/2016 00:00

Shtohen grupmoshat e personave që do të përfitojnë “check up” falas. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, kontrolli mjekësor falas do të përfshijë edhe personat nën 40 vjeç dhe ata mbi 65, duke e zgjeruar kufirin e përfituesve nga 35-70 vjeç, jo më 40-65 vjeç, si deri më tani.

Në një intervistë për Top Channel ministri i Shëndetësisë sqaron arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi.

“Vlerësimi i të dhënave të një viti e gjysmë zbatim të programit të kontrollit bazë na tregoi se që në moshën 41 apo 42 vjeç janë prezente sëmundjet kronike. Prandaj gjykuam që edhe nën 40 vjeç kjo prezencë duhet të jetë e tillë. Kishin kërkesë të pensionistëve”, u shpreh ministri Beqaj.

Por,  Partia Demokratike akuzon se përmes këtij vendimi qeveria do t’i japë 5 milionë euro shtesë në vit koncensionares. Ministri Beqaj mohon.

“’De facto’ nuk ka nevojë për financim shtesë. Ne kemi të programuar të mbulojmë shpenzimet e 550 mijë kontrolleve”, tha Beqaj.

Ish ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu thotë se pas këtij vendimi fshihen arsye të tjera.

“Përgjigja e popullsisë ka qenë e ulët dhe shpenzimet nuk po e justifikojnë veten as për pjesëmarrjen. Qeveria për të fshehur dështimin e kësaj procedure, në mënyrë arbitrare, pa as një paraqitje të të dhënave për atë që është bërë deri më sot, pa asnjë zhvillim bisede me specialistët shton harkun e atyre që futen në këtë projekt”, shprehet Tritan Shehu.

Për herë të parë në “check up”-in falas do të përfshihet edhe analiza e uresë dhe kreatininës  për të zbuluar sëmundjet e veshkave.

Top Channel