Dënohet gjyqtari Rasim Doda, u gjet fajtor për korrupsion

24/10/2016 00:00

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi me katër vite e gjashtë muaj burg dhe heqje të së drejtës për ushtrimin e funksionit publik për 3 vite, gjyqtarin e gjykatës së Sarandës, Rasim Doda.

Gjyqtari Doda u ndalua në qershor të 2015 pas marrjes së autorizimit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në dosjen e ngritur kundër tij nga ana e organit të akuzës thuhet se gjyqtari në një çështje civile, ka kontaktuar me njërën prej palëve një ditë para dhënies së një vendimi civil që po e gjykonte dhe në këmbim të vendimit në favor të kësaj pale i ka kërkuar shumën prej 80 mijë eurosh.

Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare, i ka vënë në dispozicion palës dispozitivin e vendimit, i cili do të ishte në favor të tij.

Pasi pala e kontaktuar nga gjyqtari kishte deklaruar se nuk mund të paguante shumën që kërkohej, gjyqtari Doda ka dhënë vendimin në favor të palës tjetër. Pas kësaj, është bërë dhe kallëzimi.

Për të provuar pretendimet e personit që nuk kishte pranuar të jepte shumën e kërkuar, Prokuroria për Krimet e Rënda urdhëroi ekspertimin e kompjuterit të gjyqtarit Rasim Doda. Nga të dhënat e fshira nga Doda u rekuperua dhe një dokument, fundi i të cilit ishte identik me dokumentin objekt-ekspertimi. 

Në pretencën e saj, Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar dënimin me 5 vjet burg dhe 3 vjet heqje të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për Dodën, hetimi ndaj të cilit u zhvillua fillimsiht nën masën e sigurisë “arrest me burg” dhe më tej në “arrest shtëpie”. Gjatë gjithë procesit, vetë gjyqtari ka mohuar akuzat duke i cilësuar ato si kurth dhe hetimet të njëanshme.

Emri i gjyqtarit Doda është lakuar disa herë në media, fillimisht në vitin 2009, kur ndaj tij KLD vendosi procedim disiplinor, ndërsa pak javë pas ngritjes së akuzës për korrupsion, ILDKP e kallëzoi së bashku me bashkëshorten e tij, gjithashtu gjyqtare në Sarandë, për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë.

 

Top Channel