Belgjika bllokon CETA-n, Michel: S’mund ta firmosim

24/10/2016 00:00

Kryeministri belg, Charles Michel konfirmoi edhe zyrtarisht atë që po përflitet prej pak ditësh në media; Belgjika nuk mund të firmosë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kanadanë.

Michel doli në një konferencë për mediat duke shpjeguar edhe arsyet.

“Qeveria federale, komuniteti gjerman dhe flamandët i thanë po marrëveshjes. Wallonia, Brukseli dhe komuniteti francez thanë jo. Në këto kushte, ne nuk mund ta firmosim atë”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte njoftuar për këtë vendim edhe drejtuesit e BE-së.

Dorëzimi i kryeministrit belg mbërriti të hënën, që ishte edhe afati i fundit që Bashkimi Europian i kishte dhënë vendit për të marrë një vendim për atë që njihet si CETA.

Marrëveshja konsiderohet si marrëveshja më e madhe tregtare e hartuar ndonjëherë nga Bashkimi Europian dhe ishte frut i diskutimeve 7-vjeçare mes BE-së dhe Kanadasë.

Vendet e tjera të unionit kanë shprehur gatishmërinë për firmosjen e saj, por bllokada e Belgjikës e minon këtë pakt. Gjithçka nisi në krahinën 3.6 milionë banorë të Wallonias, ku partitë e majta ndërmorën një fushatë të ashpër kundër paktit.

Kundërshtarët thonë se CETA u jepte shumë pushtet kompanive multinacionale dhe koorporatave, aq sa të vendosnin nën presion dhe nën diktatin e interesave të tyre edhe vetë qeveritë e vendeve të BE-së.

Protesta kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë me Kanadanë dhe kundër diskutimeve për një marrëveshje të ngjashme edhe me Shtetet e Bashkuara, që njihet si TTIP, ka patur edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Top Channel