Vettingu “bashkon” gjyqtarët me PD, Unioni: Palë në Kushtetuese

24/10/2016 00:00

Në padinë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nga Unioni i Gjyqtarëve kërkohet regjistrimi i tij si palë e interesuar në shqyrtimin që do bëhet për  ankimimin e PD, e cila më herët kishte kërkuar pezullimin e ligjit të vetting-ut.

Por nëse gjyqtarët do të dalin pro ligjit të vetting-ut apo kundër gjatë këtij gjykimi, kjo do të vendoset në mbledhjen e asamblesë së datës 4 nëntor të thirrur pikërisht për këtë shkak.

“Duke qenë se ky ligj dhe gjykim prek direkt interesat e anëtarëve të Unionit, mbledhjen e javës që shkoi bordi i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë mori vendimin të paraqesë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për t’u pranuar si subjekt i interesuar në këtë gjykatë”, deklaron Gert Hoxha, kryetar i Unionit.

I pyetur se ku preken interesat e gjyqtarëve, Hoxha është përgjigjur: “Kërkesa do të depozitohet sot. Sa i përket detajeve, unë rezervohem të shprehem për dy arsye: së pari, do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse do të na pranojë si subjekt të interesuar; së dyti do të presim punimet e asamblesë së zakonshme të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë”, ka thënë Hoxha.

Por ndërkohë edhe prokurorët po mbledhin firmat për t’u paraqitur si palë e interesuar në gjykimin që do të mbahet në Gjykatën Kushetuese.

Edhe ata si gjyqtarët janë njoftuar nga Shoqata e Prokurorëve të mblidhen më datë 5 nëntor për të dalë me një konkluzion mbi vetting-un.

Por ndërsa në referim të këtij ligji të gjithë, gjyqtarë e prokurorë, po plotësojnë formularët, i pyetur nga Top Channel nëse po hasen vështirësi, kreu i Unionit është përgjigjur:

“Është një proces shumë i vështirë dhe koha po vrapon. Kam të dhëna se disa persona, ndoshta prokurorë, kanë kërkuar të paraqesin formularët përkatës, por nuk janë pranuar sepse nuk kanë qenë të gatshëm për të pritur institucionin”, ka thënë Hoxha.

Ai ka kërkuar aktivizimin e komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale pasi në media po publikohen të dhëna personale për fëmijët dhe familjarët e tyre.

Top Channel