“Home Sweet Home” drejt “Oscars”, Thaçi siguron mbështetje financiare

24/10/2016 00:00

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pritur këtë të hënë ekipin e filmit “Home Sweet Home”, i cili do të përfaqësojë Kosovën në Akademinë e çmimeve “Oscar”, si propozim zyrtar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

Për realizimin e këtij filmi, janë përgëzuar regjisori Faton Bajraktari, producenti Trim Musliu, skenaristi Zymber Kelmendi dhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), Arben Zharku.

“Kosova ka shumë histori dhe rrëfime që mund të përdoren për të prodhuar filma të mirë. Filma të tillë forcojnë identitetit kulturor, por edhe shtetëror të Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka siguruar ekipin e filmit se do të bëjë çmos që të mbështesë këtë film në rrugëtimin drejt ceremonisë së ndarjes së çmimeve më prestigjioze në kinematografinë botërore, “Oscars”.

Kreu i vendit është shprehur i sigurtë se institucionet e Kosovës do ta mbështesin këtë film edhe me mjete financiare, për të siguruar depërtimin e filmit kudo në botë.

Nga ana tjetër, regjisori Faton Bajraktari ka theksuar se filmi është shfaqur tashmë nëpër shumë festivale ndërkombëtare.

Edhe drejtori i QKK-së, Arben Zharku ka thënë se, për të siguruar pjesëmarrjen e këtij filmi në “Oscars” nevojitet një mbështetje më e madhe nga institucionet e Kosovës.

“Home Sweet Home” do të nisë rrugëtimin drejt “Oscar”-it në fillim të muajit nëntor, në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel