Lehtësohen 60 procedura tatimore për biznesin; opozita, dakord me qeverinë

24/10/2016 00:00

Plot 60 procedura tatimore do të lehtësohen për biznesin. Komisioni i ekonomisë miratoi në parim ndryshimet ligjore të qeverisë, ndërkohë që opozita nuk pati kundërshtime.

Drafti i jep përparësi biznesit duke i dhënë mundësi të vetëkorrigjojë deklarimet deri në 3 vjet. Kontrollet tatimore nuk mund të bëhen pa njoftim së paku 30-ditor, ndërkohë që po kaq ditë duhen për të çregjistruar një biznes, një problem ky që krijonte një zinxhir detyrimesh që nuk merrnin zgjidhje.

Apeli i biznesit ndaj vendimeve të fiskut shkon si strukturë nga Tatimet tek Ministria e Financave. Të gjitha vendimet e pro-biznesit të kësaj strukture nuk do të apelohen nga administrata në gjykatë.

Tjetër pikë e rëndësishme është mundësia e shlyerjes së detyrimeve nga bizneset me këste, në bazë të një marrëveshjeje që ato do të lidhin me Tatimet. Procedurat e reja tatimore parashikojnë gjithashtu ulje të gjobave.

“Procedurat rishikojnë uljen e dënimit për pajisjet fiskale dhe kuponin tatimor, apo punonjësin i padeklaruar. Rishikojnë uljen me qëllim zbatimin e parimit të proporcionalitetit të dënimit për moslëshimin e faturës”, deklaroi Ahmetaj.

Ministri i Financave u shpreh i hapur për ndryshime në diksutimin nen për nen. Madje, ai pranoi se është i gatshëm për futjen e kontrollit fiskal të kompanive që kanë marrëveshje hidrokarbure me qeverinë. Aktualisht ky funksion kryhet nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

Top Channel