Dorëzohen 700 leje legalizimi në Ishëm, Meta vlerëson punën e ALUIZNI-t

24/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë këtë të hënë në ceremoninë e dorëzimit të 700 lejeve të legalizimit në Ishëm të Durrësit.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka; drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame; drejtori i degës së Durrësit, Flamur Gjuzi, etj. Në fjalën e tij para banorëve të Ishmit, Meta falenderoi drejtuesit e ALUIZNI-t për punën e madhe që kanë bërë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ai u shpreh se komuniteti i Ishmit duhet të ndërgjegjësohet më shumë për të mos dëmtuar vlerat dhe potencialet turistike e mjedisore që kjo zonë ka.

“Dua të përshëndes zotin Lame dhe zotin Gjuzi për punën e madhe që është bërë, sepse vërtet në pak kohë është bërë ajo që nuk është bërë në 8 vite. Aq më tepër që kemi të bëjmë me legalizimin e pronave tuaja në një vend që ka shumë vlerë dhe që do të ketë akoma më shumë pas një procesi të suksesshëm të urbanizmin, për të cilin edhe vetë komuniteti duhet të ndërgjegjësohet edhe më shumë”, tha Meta.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se procesi i legalizimeve nuk është thjesht një çështje numrash, por rëndësi ka fakti që kjo mazhorancë po e mban fjalën e dhënë shqiptarëve.

“Askush nuk mund të konkurrojë atë që u bë gjatë 3 viteve të kësaj qeverie me sa janë bërë më përpara. Tani të gjithë shqiptarët e dinë që legalizimet do bëhen dhe se kjo qeveri e mbajti fjalën”, tha Lame.

Top Channel