Grabitja e pikave të karburantit, Tahiri: Vetëshërbim në orët e natës

24/10/2016 00:00

Gjatë 5 viteve të fundit në vend janë grabitur 171 pika karburanti, nga të cilat policia ka zbuluar vetëm 40% të rasteve.

Për këtë arsye, në tryezën e konsultimit me operatorët e shitjes së karburantit me pakicë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi vendosjen e automatëve elektronikë gjatë natës.

“Sot në botë, gjatë orëve të natës nuk gjen operator që shet me para në dorë karburant në pikën e karburantit. Po të bëjmë një provë, që në çdo pikë të mos ketë operatorë që shesin karburant me lekë në dorë, por që asistojnë qytetarët në vetëshërbim dhe paratë futen në automat elektronik, njësoj si me bankat, kjo është e mjaftueshme për të vërtetuar që vjedhjet zbresin në nivelin zero”, deklaroi Tahiri.

Kërkesa u prit pozitivisht nga përfaqësuesit e kompanive të pranishëm në takim. Sipas ministrit Tahiri, në rastet e vetëshërbimit me automat gjatë natës, duke iu referuar praktikës se vëndeve europiane, çmimi ulet deri në 10%.

Policia po ashtu u ka kërkuar pikave të karburantit të vendosin sistem kamerash të një cilësie të lartë, ndërsa deri në vendosjen e automatëve për shërbimin gjatë natës, ato mund të ruhen edhe nga shoqëritë private të sigurisë fizike.

Top Channel