SHBA, autobusi përplaset me kamionin, 13 të vdekur

23/10/2016 00:00

13 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën në Kaliforninë e Jugut, kur një autobus me turistë u përplas me një kamion. Mediat lokale raportojnë se autobusi, në të cilin gjendeshin turistë kryesisht nga Amerikana Latine, goditi kamionin nga pas.

Aksidenti tragjik ndodhi në “autostradën 10” në afërsi të resortit turistik “Palm Springs”. Hetimet kanë nisur për të zbuluar shkakun e përplasjes, që ndodhi ndërsa autobusi po udhëtonte drejt qytetit të Los Angeles.

Autoritetet thanë se autubusi ishte dëmtuar vërtet rëndë dhe se 5 prej të plagosurve janë në rrezik për jetën. Gazeta “Los Angeles Times” e përshkroi aksidentin si më vdekjeprurësin në shtetin e Kalifornisë prej shumë dekadash.

Policia vendase sqaroi se të dhënat paraprake tregojnë se autobusi po ecte shumë shpejt dhe goditi mjaft fort kamionin. Kjo ka bërë hetuesit të mendojnë për një gabim njerëzor, megjithëse shkaku nuk do të dihet me siguri pa u përfunduar hetimet.

Përplasja e fortë bëri që pjesa e përparme e autobusit të shkatërrohej plotësisht, pikërisht zona ku gjendeshin ulur viktimat. Një prej tyre është edhe drejtuesi i mjetit, diçka që e bën edhe më të vështirë përcaktimin e shkakut të aksidentit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel