Beteja për Mosulin, ISIS mbrohet me mure zjarri

23/10/2016 00:00

Llogore të mbushura me naftë, substanca kimike helmuese, fëmijë e gra që përdoren si mburoja njerëzore në çatitë e banesave. Janë këto mënyrat që po shfrytëzojnë ushtarët e kalifatit të Abu Bakr Al Bagdadit për t’u mbrojtur nga ofensiva e forcave irakiane dhe sulmet ajrore të koalicionit të drejtuar nga Amerika, në betejën e fundit për Mosulin.

Sipas burimeve të pranishme në vendin e ngjarjes, llogoreve me naftë do t’u vihet zjarri në momentin që forcat kurdo-irakiane do të afrohen në linjat mbrojtëse të ISIS.

Gjithashtu, xhihadistët kanë shpërndarë nëpër qytet bomba artizanale të mbushura me substanca kimike që do të kishin efekte shkatërruese si tek kundërshtarët ashtu edhe popullsia civile. E megjithatë, informacionet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Luftimet në ditën e 6 të ofensivës ishin intensive, me ushtrinë irakiane që fitoi më shumë terren.

Ndërkohë, luftëtarët kurdë peshmerga kanë nisur një ofensivë të re në Bashiqa, rreth 20 km në juglindje të Mosulit. Sulmi i forcave kurde kundër militantëve të ISIS po mbështetet nga bombardimet e koalicionit.

Ndërkohë, Turqia pretendon se nuk mund të qëndrojë duarkryq në operacionin për çlirimin e Mosulit dhe se mund të jetë e nevojshme që forcat e saj të hidhen në veprim, pasi siç tha kryeministri Binali Yldirim Iraku dhe SHBA-të nuk e i kishin mbajtur premtimet e tyre.

Ai deklaroi se të dyja vendet kishin lejuar militantët shiitë dhe separatistët kurdë të merrnin pjesë në ofensivë. Por kryeministri irakian Haider Al Abadi tha të shtunën se për momentin forcat turke nuk ishin të nevojshme.

Top Channel