Matilda Makoçi zgjedh të rikthehet nëpërmjet poezisë. Në rast se vetëm e dëgjon, ajo nuk ndryshon shumë nga vajza e re e disa dekadave më parë, që karakterizohej sidomos nga finesa në interpretim.

Shfaqjen ajo e shoqëroi me poezitë e Natasha Begës, dhe nën petkun e një ekspozite me veshje nga koha e Ali Pashës.

Matilda duket se ka rilindur edhe njëherë në të 50-tat e saj.

“Njeriu rilind dhe kam pasur kënaqësinë që të punoj me këto poezi”, tha Makoçi.

Kurioziteti për aktoren e mirënjohur ishte i madh, por edhe ajo i përmbushi pritshmëritë. Madje thekson që rikthimin e saj dëshiron ta ketë të gjatë.

“Profesioni që kam unë është shumë i vështirë. Po të ketë ndonjë gjë që më intereson, e më pëlqen, patjetër që po do të interpretoja sërish”, deklaron aktorja e mirënjohur.

Po t’i rikthehet edhe njëherë kohës studentore, ajo ka diçka për të thënë.

“Kam shkruar kur kam qenë studente nja dy poezi dhe asgjë më shumë. Sigurisht me tematikë dashurie, pasi ndihem ende e dashuruar me jetën dhe djalin”, shprehet më tej Matilda Makoçi.

Kur e pyesin për peripecitë në jetën e saj, ajo ka vetëm një përgjigje kategorike.

“Jo nuk kam kaluar ndonjë peripeci”, tha aktorja Makoçi.

Top Channel