“Brexit”, bankat drejt largimit nga Mbretëria e Bashkuar

23/10/2016 00:00

Bankat e mëdha po përgatisin transferimin jashtë Mbretërisë së Bashkuar për shkak të frikës nga “Brexit”-i.

Lëvizja e tyre duhet të ndodhë në fillimin e vitit që vjen, ndërsa institucionet financiare më të vogla janë duke planifikuar mundësinë e zhvendosjes që përpara vitit të ri. Njoftimin e bëri kreu i Shoqatës së Bankierëve britanikë, Anthony Broëne.

Në kohën e referendumit, pjesa më e madhe e bankave në Angli ishin shprehur për qëndrimin në Bashkimin Europian. Kryeministrja Theresa May thotë tani se bisedimet zyrtare me Brukselin do të nisin brenda muajit mars.

Tema më e nxehtë e tyre premton të jetë ruajtja e tregut të përbashkët, lëshim ky, të cilin Europa është e gatshme ta bëjë vetëm në këmbim të lëvizjes së lirë të qytetarëve të BE-së në Britaninë e Madhe.

Broëne paralajmëroi se debati publik e ai politik i momentit po çon në një drejtim të gabuar, në një kohë kur çështjet e biznesit nuk mund të presin për në minutën e fundit. Sipas tij, transferimi i aktivitetit të bankave të mëdha ndërkombëtare jashtë Anglisë bëhet për t’i shërbyer më mirë klientelës.

Top Channel