Londër, marshim-protestë kundër gjakderdhjes në Siri

23/10/2016 00:00

Konflikti sirian ishte arsyeja e protestës masive në Londër, ku qindra vetë, mes të cilëve edhe aktorja Carey Mulligan, kërkuan fundin e gjakderdhjes në vendin e gjunjëzuar nga lufta.

Tubimi u zhvillua përballë “Downing Street”. Fëmijët vendosën në rrugë kuti kartonash të mbushura me arinj pellushi, një mesazh therës ky për kostot njerëzore të këtij konflikti të zgjatur. Në duar, ata mbanin pankarta ku shkruhej “shpëtoni fëmijët e Aleppos”.

Situata, në atë që ishte dikur qyteti më i madh dhe zemra industriale e Sirisë, është e dëshpëruar.

Me përfundimin e armëpushimit treditor, në Aleppo shpërthyen sërish luftimet. Pushimzjarri i njëanshëm u njoftua javën që shkoi nga rusia, e cila mbrëmjen e së shtunës i rinisi sulmet ajrore. Ka shqetësime se ndihma humanitare nuk arriti në Aleppo, as përgjatë ditëve të pushimzjarrit.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter mbërriti në Irbil të Irakut një ditë pas takimit me kryeministrin Haider al-Abadi në Bagdad. Ndalesa e shefit të Pentagonit në rajonin kurd ka për qëllim vlerësimin e progresit në fushatën e rimarrjes së Mosulit nga duart e Shtetit Islamik.

Beteja për qytetin e dytë më të madh të tij pritet të jetë më e rëndësishmja e zhvilluar ndonjëherë në Irak, që prej pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003.

Top Channel