Partia Republikane: Të vendoset moratoriumi i skafeve

23/10/2016 00:00

Partia Republikane ka kërkuar vendosjen e moratoriumit të skafeve si një masë parandaluese për trafikun e lëndëve narkotike.

“Ditët e fundit, autoritetet e Italisë kanë shpallur alarmin ekstrem se gomonet që po vijnë nga Shqipëria janë shtuar aq sa kjo po shndërrohet në një emergjencë të vërtetë. Ky alarm i autoriteteve italiane nuk ishte ndjerë që prej vitit 2013. Në fund të vitit 2013, qeveria Rama hoqi moratoriumin e skafeve, pa ndërmarrë më parë asnjë masë shtesë për kontrollin e hapësirës detare dhe pa shtuar kapacitetin e policimit detar. Ndërkohë që më parë, Qeveria Berisha kishte vendosur moratoriumin e skafeve dhe kështu kishte arritur të ndërpriste totalisht trafikun e tmerrshëm detar mes dy vendeve, duke arritur të marrë me këtë akt liberalizimin e vizave për shqiptarët në vitin 2008”, deklaroi Endi Shkupi, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Republikane.

“Partia Republikane vëren se tashmë janë të gjitha faktet që provojnë indirekt se ajo heqje e Moratoriumit për mjetet detare në vitin 2013 nga Qeveria Rama nuk ka qenë as një akt i kryer sa për të ndryshuar diçka nga Qeveria paraardhëse dhe as një akt i kryer nga padija politike, që në fakt e karakterizon këtë Qeveri. Përkundrazi, Partia Republikane Shqiptare e denoncon heqjen e Moratoriumit të skafeve si një akt të qëllimshëm qeveritar për t’i hapur rrugën rimëkëmbjes së flotës së kontrabandës dhe nxitjes së trafikut nëpërmjet detit. Partia Republikane kërkon nga Qeveria Rama që të mbajë tashmë përgjegjësinë politike të vendosjes sërish të Shqipërisë në qendër të trafikut ndërkombëtar të drogave dhe në qendër të vëmendjes negative të opinionit ndërkombëtar. Partia Republikane kërkon urgjentisht që Qeveria Rama të sqarojë pozicionin e saj: ose t’u provojë ndërkombëtarëve që është në gjendje të kontrollojë e të ndalojë skafet e gomonet e njerëzve të saj, çka duket e pamundur; ose të kthejë urgjentisht në fuqi Moratoriumin e skafeve”, shtohet në deklaratën e PR-së.

Top Channel