Akuzat nga femrat shtohen, Trump premton t’i padisë pas zgjedhjeve

23/10/2016 00:00

Një tjetër grua bën përpara e akuzon Donald Trumpin për ngacmim seksual. Jessica Drake, aktore dhe regjisore filmash për të rritur, është femra e 11 që lëshohet mbi kandidatin presidencial republikan, pas publikimit të videos së tij me komente fyese për gratë.

Drake thotë se, një dekadë më parë miliarderi e ka prekur dhe puthur pa dëshirën e saj, e madje i ka ofruar dhe parà. Siç shpjegon ajo, Trumpin e ka njohur në vitin 2006. Ai e kishte ftuar në suitën e vet, ku Jessica shkoi e shoqëruar prej dy vajzave të tjera, sepse nuk ndihej rehat të qëndronte vetëm me manjatin.

“Ai na kapi fort gjithsecilës, na përqafoi e puthi pa lejen tonë. U larguam pas 30 apo 45 minutave, por më vonë mora një telefonatë nga një përfaqësues i Trumpit, që më ftoi të shkoja vetëm në dhomën e tij. Unë refuzova”, tha Jessica Drake.

Siç rrëfen më pas, zilja e telefonit i ka rënë përsëri e këtë herë ishte vet miliarderi, që i kërkoi të kthehej e të hante darkë me të, e kur përgjigjja e saj sërish ka qenë negative, Trump e ka pyetur: Çfarë do? Sa parà do?

Oferta që pasoi ishte shuma prej 10 mijë dollarësh dhe përdorimi i avionit të tij privat. Në konferencën për shtyp, përfaqësuesja e saj dhe dy grave të tjera që akuzojnë Trumpin për ngacmime seksuale, Gloria Allred tregoi edhe një fotografi të Drake me miliarderin.

Ndihmësit e Trumpit reaguan menjëherë duke i cilësuar pretendimet si krejtësisht të rreme e qesharake. Donald Trump ka bërë fotografi me mijëra njerëz në shenjë respekti për ta, thuhet në deklaratë. Ai, as e njeh këtë person, as e mban mend dhe as ka pasur ndonjëherë interes ta njohë nga afër.

Manjati është shprehur më herët se do t’i hedhë në gjyq akuzueset e tij, sapo të përfundojnë zgjedhjet.

Top Channel