Basha, thirrje për koalicion: Mirëpresim këdo që është kundër krimit

23/10/2016 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha deklaroi nga Kurbini se Partia Demokratike është e gatshme të mirëpresë çdo parti dhe çdo qytetar që nuk pajtohet me politikën qeveritare të kanabizimit të vendit.

“Nuk mund të kthehet në model trafikanti për fëmijët e shqiptarëve, nuk mund të lejojmë të kthehet në model. Nuk mund të lejojmë që në klasat e fëmijëve tanë të digjet hashash Ne nuk mund ta lejojmë kurrë dhe nuk do ta lejojmë kurrë. Për këtë na duhet një bashkim i madh. Shumica e shqiptarëve janë me ne. E izoluar dhe më e pakët se kurrë në numër është banda që kemi përballë”, deklaroi ai.

Lulzim Basha thotë se ky është momenti që shqiptarët t’i japin fund projektit që Edi Rama ka ndërtuar për ta.

“E dimë që droga nuk është zgjedhja e shqiptarëve, është alternativa e vetme, mundësia e vetme që u dha Edi Rama, një mundësi që i skllavëron ata, ndërkohë që pasuron vetëm një grusht njerëzisht dhe për këdo tjetër është mallkim, skllavërim, varfërim, helmim”, u shpreh ai.

Sipas kreut të opozitës kanabizimi i Shqipërisë një vit përpara zgjedhjeve ka si qëllim vetëm tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve dhe kjo sipas tij duhet ndalur me çdo mjet demokratik.

“Kundër një qeverisje që është bërë njësh me mafien dhe një mafie që është bërë njësh me qeverisjen; Ne jemi të gatshëm, të hapur për bashkëpunimin, për kontributin e gjithsekujt, për ti dhënë vendit atë që meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, mundësinë për të ecur përpara përmes punës së ndershme dhe përfaqësimit me bijtë dhe bijat tuaja më të mira”, u shpreh ai.

Top Channel